Një marinar i tragetit Durrës-Ankona është kapur në terminal tekda do udhëtonte nga Shqipëria për në Itali, me një ngarkesë droge që do e trafikonte.
Policia e Durrësit bëri sot (16 nëntor) me dije se finalizoi operacionin e koduar “Next” pas informacioneve në rrugë operative. Ndërhyrja u bë nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Stacionit të Policisë Kufitare të Portit Durrës.
“Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi italian S. M., 25 vjeç, i punësuar si marinar në linjën Durrës-Ankona. Ai u kap në ambientet e terminalit të pasagjerëve të Portit Durrës, në dalje të Republikës së Shqipërisë, duke tentuar të kalonte një pako me lëndë narkotike në formë boçeje, të dyshuar kanabis”, sqaruan burime zyrtare.
Kontrolli ndaj tij u krye pas informacionit të siguruar nga rrugë operative. Po hetohet për bashkëpunëtorët dhe grupin për të cilin dyshohet se ai punonte, dërguesin dhe pritësin e mundshëm të mallit në vendin fqinj.
Lënda narkotike u sekuestrua si provë materiale dhe materiali procedurial do t’i kalojë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”.


