Gjatë intervistimit për postin e drejtuesit të SPAK, kandidati Elvin Gokaj u pyet mbi mënyrën se si do të menaxhonte presionet politike në një situatë parazgjedhore, ku hetimet ndaj zyrtarëve të lartë shpesh shndërrohen në akuza.
Pyetja e parashtruar ngriti një skenar ku një krah politik e akuzon drejtuesin e SPAK për anësi, ndërsa krahu tjetër kërkon arrestime shtesë për balancë.
Në përgjigjen e tij, Gokaj theksoi se vendimmarrja duhet të mbështetet vetëm mbi provat.
“Do të vlerësoja situatën për të cilën janë çështjet. Nëse ka prova dhe indicie, nuk do merrja parasysh asnjë nga presionet e politikës, por do vijoja me hetimet,” u shpreh ai.
Pyetje: Supozojmë se jemi në një periudhë parazgjedhore dhe ju jeni drejtues i SPAK, po bëhen hetime të bujshme për disa zyrtarë të lartë. Njëri krah ju akuzon për mbajtje të anësisë politike, krahu tjetër ju kërkon që të bëni arrestime të tjera për të balancuar këtë situatë, si drejtues i SPAK si do ti përgjigjeshit këtyre akuzave?
Gokaj: Do të vlerësoja situatën për të cilën janë çështjet, nëse ka prova dhe indici nuk do merrja parasysh asnjë presionet e politikës, por do vijoja me hetimet, përkundër do isha edhe unë pjesë e këtyre çështjeve për ti hetuar. Kur ke prova për mua presioni nuk vlen.
Do mbaja një qëndrim që do ishte në raport me të drejtë, pa u bërë krah me asnjë palë, sidomos kur kemi të bëjmë me procese zgjedhore.


