Po kërcënon njerëzit, studimi paralajmëron për virusin e majmunëve.
Një studim i Universitetit të Kolorados (SHBA) ka paralajmëruar se një familje virusesh, e cila është endemike në majmunët e egër afrikanë, mund të infektojë njerëzit së shpejti.
Këto viruse konsiderohen një kërcënim kritik për majmunët makakë dhe deri tani, asnjë infeksion njerëzor nuk është raportuar. Është e paqartë se çfarë ndikimi do të kishin këto viruse te njerëzit, por shkencëtarët thonë se mund të kenë simptoma të ngjashme me Ebolën.
“Ky virus i kafshëve ka kuptuar se si të fitojë akses në qelizat njerëzore, të shumohet dhe të shpëtojë nga disa mekanizma të rëndësishëm imunologjikë, që neve na mbrojnë nga një virus i kafshëve. Kjo gjë është shumë e rrallë”, tha autorja kryesore e studimit, Sara Sawyer, një profesore e biologjisë molekulare, qelizore dhe zhvillimore në CU Boulder.
Ka mijëra viruse që qarkullojnë midis kafshëve në mbarë botën, shumica e të cilave nuk shkaktojnë simptoma. Megjithatë, në dekadat e fundit, një numër gjithmonë e më shumë në rritje ka kaluar te njerëzit, duke shkaktuar probleme në sistemet njerëzore të imunitetit, që nuk kanë përvojë në luftimin e tyre. Këtu mund të përmendim MERS-in në vitin 2012, koronavirusin e sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes (SARS-CoV) në 2003 dhe SARS-CoV-2 (virusi që shkakton COVID-19) në 2020.
Përmes një sërë eksperimentesh laboratorike, studiuesit zbuluan, për habinë e tyre, se virusi i majmunëve ishte gjithashtu jashtëzakonisht i aftë për t’u lidhur me njeriun, duke hyrë në qelizat njerëzore dhe duke bërë me shpejtësi kopjet e tij.
Ashtu si virusi i mungesës së imunitetit (HIV), edhe virusi i ri duket se sulmon qelizat, duke çaktivizuar mekanizmat kryesorë të mbrojtjes dhe duke zënë rrënjë në sistemin imunitar.
Gjithsesi, autorët theksojnë se një tjetër pandemi nuk është e afërt dhe se publiku nuk duhet të alarmohet. Por, ata sugjerojnë që komuniteti global i shëndetit t’i japë përparësi studimit të mëtejshëm të viruseve të majmunëve, të zhvillojë teste të antitrupave të gjakut për ta dhe të marrë në konsideratë mbikqyrjen e popullatave njerëzore në kontakt të ngushtë me kafshët bartëse. /a2news/