Në seancën e radhës për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, dëshmoi sot Skerdi Tasi, një nga të penduarit e drejtësisë, i cili zbardhi detaje mbi bashkëpunimin me Henrik Hoxhajn dhe planin për një atentat në Fier.
Sipas dëshmisë së tij, Tasi tha se u takua për herë të parë me Henrik Hoxhajn në vitin 2017, nëpërmjet një shoku të përbashkët, pikërisht Viron Tavanxhi, që sipas tij ishte edhe porositësi i një vrasjeje me pagesë.
Sipas tij porosia e ekzekutimit u dha nga Viron Tavanxhi për ekzekutimin e Gim Boriçit.
Pjesë nga dëshmia
Skerdi Tasi: Shtetasin Henrik Hoxhaj e kam njohur nga një shok i përbashkët. Për herë të parë jemi takuar në 2017. Shoku Viron Tavanxhi me takoi me Hebrikun për të bërë ekzekutimin e një personi në Fier. Henriku kishte të gjitha të dhënat e atij personi. Ai rrinte afër rrethrrotullimit te parkut në Fier. Për ngjarjen Henriku kishte një makinë “Alfa romeo” të blerë në Fier. Henriku kishte dhe një armë pistoletë automatike. Ditën e ekzekutimit, Henriku më thirri dhe më tha se porositësi i kishte thënë “shumë po e zgjasni atë punë”. Dolëm dhe e gjetëm atë njeriun në një lokal. Unë mora armën dhe shkova atje. Ai personi e kuptoi që isha për të. Ai u çua në këmbë, bërtiti me të madhe dhe u shtri poshtë. Unë mendova se e qëllova. Pastaj ika nëpër rrugicat e qytetit. Pistoletën e kam hedhur në Gjanicë. Porosia e Viron Tavanxhi ishte për ekzekutimin e Gim Boriçin. Unë e njihja, kisha dëgjuar për të në Fier.