Janë publikuar detaje të reja në lidhje me arratisjen nga spitali i Durrësit i të burgosurit, Altin Ndoci. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se Edmond Gjyzeli dhe Izmir Kusi janë dy emra që po verifikohen nga grupi hetimor pasi rezultojnë se gjatë muajve të fundit kanë zhvilluar disa takime me Altin Ndocin në paraburgimin e Durrësit.
Të njëjtat burime nga grupi hetimor bëjnë me dije Edmond Gjyzeli dhe Izmir Kusi janë emra të skeduar nga drejtësia.
Ka dyshime se këta dy persona mund të jenë të përshirë ose të kenë patur dijeni për planin e arratisjes të Ndocit.
Megjithatë kjo është deri tani në fazën e hetimeve paraprake, por po punohet për të gjetur prova nëse Gjyzeli dhe Kusi janë të përfshirë apo jo. Ende nuk dihet nëse hetuesit kanë arritur që ti lokalizojnë për ti marrë në pyetje apo jo.
Arratisja
Ngjarja ndodhi mesditën e 13 janarit, në Spitalin e Durrësit. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga 2 policët që e ruanin te dera e dhomës spitalore, por gjatë këtij momenti i sulmoi dhe u arratis.
Plani i arratisë ishte i mirorganizuar pasi në dalje të spitalit të Durrësit e priste një “Audi A7”, me targë të vjedhur ditët të para të këtij viti.
Sipas të dhënave policore, dyshohet se ky automjet është kapur nga kamerat në autostradën Durrës-Tiranë duke bërë të mundur kështu edhe ushtrimin e dhjetëra kontrolleve në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë mbrëmjes së të martës forca të shumta policie ushtruan kontrolle edhe në vendlindjen e tij, në fshatin Krajen të Lezhës, por edhe në disa vende ku ai dyshohet se ka njerëz të besuar, ndërkohë që në fakt ende është e dyshimtë fakti që policia të ketë informacion të saktë mbi mjetin me të cilin mund të ketë lëvizur i arratisuri, pasi sipas informacioneve konfidenciale ka dyshime që numri i personave të përfshirë në realizimin e planit të Ndocit është i madh.
Altin Ndoci
Altin Ndoci akuzohet se ishte “gjuajtësi” më 29 dhjetor 2018, kur një atentat i organizuar nga grupi kriminal i vëllezërve Çopja në Elbasan arriti të vrasë Endrit Alibejn, Arben Dylgjerin dhe shtetasit turk Erdal Duranay në një atentat në Bradashesh.
Ai akuzohet të kishte të njëjtin rol më 1 korrik 2019, kur në fshatin Broshkë u vra Klevin Baho dhe u plagos Aldo Baho. Më 16 janar 2020, ai akuzohet se qëlloi për të vrarë Kei Pikun në Elbasan, por ky i fundit arriti të shpëtojë i plagosur.
Ai bashkëpunoi me anëtarë të tjerë të grupit në organizimin e dy atentateve të tjera ndaj rivalëve në periudhën nëntor 2019-janar 2020, ndërsa më herët kishte qenë pjesë e grupit që vodhi furgonin e transportimit të parave në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.


