Detaje të reja kanë dalë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë stadiumit, ku u plagosën me armë zjarri Ernest Lama (24) dhe Gëzim Hoxhaj (32).
Autorët e dyshuar të ngjarjes janë dy vëllezër me precedentë të shumtë penalë, Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, 43 vjeç, dhe Erjon Canaj, 35 vjeç.
Ramadan Zoto / Canaj – Profili i një të shumëkërkuari
Në prill 2005, ka ekzekutuar në Athinë 51-vjeçarin Pushkin Kuspa, në një ngjarje të motivuar nga hakmarrja.
Më 31 janar 2008, në tentativë për t’u arrestuar nga policia greke, ka shkëmbyer zjarr me efektivët, por u kap në fund të shkurtit.
I njohur për grabitje me armë në Greqi dhe i regjistruar në sistemin grek me 7 emra, 6 atësi dhe 10 mbiemra të ndryshëm.
Në maj 2019, u kap në rrugën “Patisia” në Athinë me një mjet “Smart” me targa false – rezultoi i vjedhur nga lojtari i reality show “Survivor”, Kosta Kokkinakis. U gjetën armë, drogë dhe thikë.
Në gusht 2023, u procedua në Sarandë për muzikë të lartë në lokal.
Në qershor 2024, u arrestua për goditje për shkak të detyrës ndaj një punonjësi të Bashkisë Sarandë, por u lirua nga gjykata dhe është aktualisht në proces gjyqësor.
Erjon Canaj – vëllai me precedentë për dhunë dhe armëmbajtje
Më 15 dhjetor 2022, ka dhunuar rojen e spitalit të Sarandës.
Në shkurt 2024, u arrestua në një banesë në Berdenesh me dy pistoleta, por në fillim të vitit 2025 u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës, pasi armët u gjetën në dollap dhe prona nuk ishte në emrin e tij.
Të dy vëllezërit janë në arrati dhe janë shpallur në kërkim nga Policia e Sarandës dhe forcat e FNSH-së. Hetimet për atentatin ndaj dy të rinjve janë në zhvillim, ndërsa pista kryesore lidhet me konflikte të mëparshme dhe çështje të pazgjidhura kriminale.
Dy të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, njëri në gjendje të rëndë. Policia ka angazhuar të gjitha strukturat për lokalizimin dhe arrestimin e autorëve.