Policia ka reaguar me një komunikatë zyrtare lidhur me plagosjen e ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Sarandës, ku u raportua se ishte lënduar një ish-efektiv policie.
Sipas njoftimit, ngjarja ndodhi rreth orës 19:10, pas një konflikti fizik ku 56-vjeçari Adil Veli u godit me sende të forta, konkretisht me tytën e një pistolete. Policia bën me dije se gjatë përplasjes arma është shkrepur në ajër në mënyrë të pavullnetshme, pa shkaktuar rrezik për jetën e të përfshirëve.
Nga vendi i ngjarjes është sekuestruar një gëzhojë arme zjarri, ndërkohë që forcat e rendit po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
I plagosuri ndodhet në Spitalin e Sarandës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Sot, rreth orës 19:10, në lagjen nr. 4, Sarandë, dyshohet se gjatë një konflikti është dëmtuar me një send të fortë, dyshohet me tytën e një pistolete, shtetasi A. V., 56 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, dyshohet se gjatë momentit të goditjes me tytën e armës, arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar pasoja. Si provë materiale, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë arme zjarri.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj.