Gjykata e Pogradecit ka lënë në burg 5 të arrestuarit për plagosjen me armë zjarri të Joan Muçllarit, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë.
Sipas burimeve të Gazetës Shqiptare mësohet se është dhënë masa e sigurisë arrest me burg për Fatjon Bonon, Kristian Kreston, Hekuran Gjonën, Ledion Shkullakun dhe Rudi Shahon.
Ata akuzohen për përkrahje të autorit pas krimit, moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Ngjarja u regjistrua pasditen 25 prillit dhe fillimisht mësohet të ketë pasur një debat me fjalë midis autorëve dhe të riut të plagosur. Burimet bënë me dije se kanë qenë dy personat ata që kanë ngacmuar me fjalë 23-vjeçarin dhe më pas janë konfliktuar fizikisht midis tyre.
Përveç se me armë zjarri, Johan Muçllari është qëlluar edhe me një armë të ftohtë e llojit thikë, nga e cila ka marrë një plagë në pjesën e kokës. I riu ka shkuar vetë në spital, duke u deklaruar mjekëve se ishte qëlluar nga dy persona. Kanë qenë bluzat e bardha ata që kanë lajmëruar më pas Policinë, e cila ka nisur hetimet dhe ka identifikuar autorët e ngjarjes.
“Më datë 25.04.2022, rreth orës 16:00, në Spitalin e Pogradecit është paraqitur për mjekim, jashtë rrezikut për jetën, i dëmtuar në këmbë shtetasi J. M., i cili dyshohet të jetë plagosur në lagjen ‘Voloreka’, me armë zjarri tip pistoletë, gjatë një konflikti të çastit, nga dy shtetas të tjerë”, sqaroi Policia.
Ndaj të riut është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë, ku e ka kapur vetëm një nga plumbat e shkrepur në drejtim të tij. Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Pogradecit rreth katër orë më vonë është dërguar në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.
Kush janë autorët
Pas denoncimit të Johan Muçllarit, i cili i njihte autorët e ngjarjes së rëndë, Policia i ka identifikuar menjëherë ata. Bëhet fjalë për shtetasit, Firdeus Berberi, djali i Ilir Berberit aktualisht i arrestuar për ngjarjen e dy viteve më parë. Ai njihet në Pogradec si “Lili i Rrushkës” dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në këtë qytet.
Gjithashtu, në ngjarjen e djeshme është përfshirë edhe shoku i tij, Greisi Maxhari. “Menjëherë në vendngjarje, kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe nga veprimet e para u bë e mundur identifikimi i dy autorëve të dyshuar konkretisht shtetasit Firdeus Berberi dhe Greisi Maxhari.



