Detaje të reja dalin në dritë për ngjarjen e rëndë ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar brenda picerisë “Fantazia” në zonën e Ali Demit në Tiranë, ku ai punonte si kamarier.
Gazetari Igli Celmeta raporton se autori i dyshuar, motoristi i picerisë, Aldo Neziri, ka përdorur një armë të maskuar në formën e një stilolapsi për të qëlluar adoleshentin. Më pas, ai ka hedhur armën në zonën e Laprakës në përpjekje për të zhdukur provat.
Ndërsa autori pretendon se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, hetuesit dyshojnë për një ngjarje të qëllimshme.
Sipas burimeve, tre punonjës të picerisë janë akuzuar për përfshirje në fshehjen e ngjarjes, pasi kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes duke fshirë gjurmët dhe provat, si dhe kanë vonuar njoftimin e Policisë.
Policia është njoftuar vetëm pasi 15-vjeçari është dërguar në spital, ndërkohë që në vendngjarje është konstatuar se ambientet e picerisë ishin pastruar dhe pamjet nga kamerat e sigurisë ishin fshirë.