Policia e Kavajës ka zbuluar dhe sekuestruar armën e zjarrit me të cilën Shpëtim Osmani, 56 vjeç, plagosi dy fqinjët e tij, çiftin Sami dhe N. Disha, gjatë një konflikti të ndodhur ditën e sotme në fshatin Gosë.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë gjetën armën e zjarrit të tipit pistoletë të fshehur në një mur pranë vendit të ngjarjes dhe e sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Dyshohet se me këtë armë autori qëlloi drejt fqinjëve të tij gjatë një debati për motive të dobëta, konkretisht për një çështje që lidhet me një qen.
“Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në fshatin Gos, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur në një mur dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit tip pistoletë, me të cilën dyshohet se autori ka plagosur shtetasit S.D, dhe N.D.
Po në vijim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. O., 56 vjeç, pasi ky shtetas dyshohet se plagosi me armë zjarri dy komshinjtë e tij gjatë një konflikti për motive të dobëta. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Menjëherë pas të shtënave, autori u largua nga vendngjarja, por vetëm një orë më vonë u vetëdorëzua në Policinë e Rrogozhinës.
Të plagosurit, Sami Disha dhe bashkëshortja e tij, u transportuan me urgjencë drejt spitalit ku po marrin trajtim mjekësor. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë ende publike.
Ndaj Shpëtim Osmanit është bërë arrestimi në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve.