Uniformat blu janë ende në kërkim të efektivit Erjon Goxhara, personi i cili plagosi 45 vjeçarin Lorenc Kosta në zonën e “Komunës së Parisit” dy ditë më parë.
Pas ngjarjes, Goxhara ka shkuar tek rrethrrotullimi i Shkozës dhe ka marrë djalin e tij. Më pas kanë marrë një taksi dhe kanë shkuar deri në zonën e Freskut.
Kur efektivi ka parë policinë, ka zbritur nga taksia dhe është larguar me vrap i vetëm, duke lënë kështu pas djalin.
Blutë kanë vijuar fillimisht kërkimet në zonën e Dajtit, e më pas në zona dhe banesa e të afërmeve të efektivit.
Kërkimet për të janë shtrirë gjithashtu edhe jashtë kryeqytetit dhe në Memaliaj, nga ku ka origjinën.
Sakaq, policia vijon negociatat me familjarët e Erjon Goxhara që ta bindin për t’u vetëdorëzuar autoriteteve.
Kujtojmë se uniformat blu ofronin deri në 1000 euro shpërblim për këdo që jep informacione të vlefshme për arrestimin e tij.
Ngjarja ndodhi në një zonë shumë të populluar të kryeqytetit në mesditë, kur Goxhara ka plagosur me 6 plumba 45 vjeçarin Lorenc Kosta, pas një konflikti me motive të dobëta lidhur me gruan e efektivit dhe dyshimet për tradhti nga ana e saj me të lënduarin.
NGJARJA
Rreth orës 14:00 të datës 19 gusht, në rrugën “Tish Daija”, Erjon Goxhara 46 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policisë në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, jashtë shërbimit, për motive të dobëta ka qëlluar disa herë me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Lorenc Kosta, 45 banues në Tiranë, i cili si pasojë e të shtënave ka marrë disa plagë në trup (bark dhe gjymtyrët e poshtme).
Menjëherë pas ngjarjes i dëmtuari Lorenc Kosta, është dërguar për ndihmë të specializuar mjekësore në spitalin e Traumës, Tiranë, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekve, ndërsa autori i dyshuar Erjon Goxhara është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i’u shmangur ndjekjes policore.
Gjatë këqyrjes se vendit të ngjarjes ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 (gjashtë) gëzhoja kalibër 9 mm, 1 (një) predhë me ngjyrë bronxi e deformuar, një këmishë predhe me ngjyrë bronxi, 3 rripa pantallonash të ndotur me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut, etj.
Lidhur më këtë ngjarje, janë sekuestruar dhe këqyrur pamjet filmike, të administruar nga disa subjekte private në vendin e ngjarjes, janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat të hetimit, disa shtetas, dëshmitar okularë, dhe familjarë të autorit të dyshuar, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi konfliktin mes të dëmtuarit dhe të dyshuarit, janë këqyrur të dhënat/komunikimet elektronike etj.
10 MIJE EURO SHPERBLIM
Shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të mbështetur nga Forcat Speciale RENEA, Forcat e Sigurisë Kombëtare janë angazhuar në një operacion të gjërë kërkimi, lokalizimi dhe kapjen e personit të kërkuar, kryesisht në përiferi të Tiranës ku dyshohet se autori është larguar pas ngjarjes.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për cilindo që jep informacion të saktë për vendodhjen e personit të kërkuar Erjon Goxhara, vë në dispozicion si shpërblim shumën prej 10.000 euro, si dhe numrin kontaktit celular 0694111546, duke siguruar anonimatin e plotë.