Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) ka lënë në fuqi masat e arrestit në burg për tre anëtarët e grupit kriminal të Jetmir Pepës, që akuzohet për trafikimin e mbi 7 tonëve kokainë.
Në arrest në burg u lanë Lulzim Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola. Lulzim Pepa është i vëllai i Jetmir Pepës, i cili është shpallur në kërkim si kreu i grupit kriminal.
Jetmir Pepa është një emër i njohur për blutë, pasi në janar 2025 u shpall në kërkim pasi qëlloi me armë në një koncert festiv të organizuar ‘Cinco Cavalli’ në Parkun Olimpik të Tiranës.
HETIMET E SPAK
Sipas SPAK, hetimet kanë dokumentuar aktivitetin e grupit gjatë viteve 2019–2021 në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë, ku janë evidentuar 8 episode të trafikut të kokainës në sasi të mëdha.
Sipas SPAK, grupi kriminal ka realizuar disa episode të trafikut të kokainës, kryesisht nga Amerika Latine drejt porteve europiane, veçanërisht në Roterdam dhe Amsterdam.
8 EPISODET E TRAFIKUT TË LËNDËS NARKOTIKE
Episodi 1 – Janar- Mars 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike kokainë gjatë periudhës Janar-mars 2020. Nga kjo sasi, më 21.03.2020 u sekuestrua një sasi prej 8.5 kg në qytetin e Amsterdamit të Mbretërisë së Holandës.
Episodi 2 – 7-8 Prill 2020 – Trafikimi i një sasie prej 1,018 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Peruja drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije kolumbiane ndërsa lënda narkotike ishte fshehur në një enë frigoriferike që përmbante lëng frutash të ngrira. Vlera e shitjes ishte mbi 1.3 milionë euro.
Episodi 3 – 6 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 2020 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador dhe ishte e destinuar për një kompani në Hungari. Një pjesë e kësaj ngarkese i përkiste këtij grupi kriminal.
Episodi 4 – 26 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 516 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Terminalin Portual Muelle Sur, DP World Callao, Peru, si dhe e destinuar për në Mbretërinë e Hollandës.
Episodi 5 – 30 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 500 kg lënde narkotike kokainë më, e sekuestruar në Portin e Roterdamit, që kishte ardhur në një kontejner nga Kolumbia që përmbante konserva me peshk ton dhe ishte i destinuar për një kompani në Gjermani.
Episodi 6 – 7 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë, e llogaritur në rreth 1600 kg, prej së cilës është sekuestruar një sasi prej 104 kg po në të njëjtën datë në autostradën nr A2 pranë qytetit Abcoude të Mbretërisë së Holandës.
Episodi 7 – 16 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie rreth 1100 pako me peshë bruto 1238,39 kg lënde narkotike kokainë, e cila ishte ishte fshehur në një ngarkesë me banane në një kontenier që vinte nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit në Hollandë dhe kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare e ardhur nga Porti i Antwerp, e destinuar për një kompani në Hagë.
Episodi 8 – 1 – 2 Tetor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 531 kg lënde narkotike kokainë në Portin e Roterdamit, Hollandë, sasi e cila është kapur nga autoritetet holandeze, e fshehur në një kontenier të ngarkuar me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.
PASURITË E SEKUESTRUARA
Me një tjetër vendim GJKKO ka vendosur sekuestro preventive ndaj 232 pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë totale rreth 12 milionë euro.


