Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare publike që zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me kërkesën e paraqitur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë për pezullimin e Ballukut nga detyra.
Objekti i gjykimit kushtetues lidhet me zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, në lidhje me pezullimin e ushtrimit të detyrës së një anëtari të Këshillit të Ministrave, në këtë rast Belinda Ballukut.
Në qëndrimin e saj zyrtar, GJKKO vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues ku kërkues është Kryeministri.
Sipas gjykatës, në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të marrë pjesë si palë për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur vendime të dhëna prej saj.
GJKKO thekson se pjesëmarrja e saj si palë e interesuar në një proces kushtetues do të cenonte parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, si dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.


