Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka reaguar zyrtarisht lidhur me gjendjen shëndetësore të vajzës 6-vjeçare, e mbijetuar nga ngjarja tragjike në Maliq, ku humbën jetën nëna dhe vëllai i saj si pasojë e një zjarri në banesë.
Në një njoftim për shtyp, ministria konfirmon se e mitura e identifikuar me inicialet N.A., ka mbërritur mbrëmjen e sotme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në urgjencën e Shërbimit të Djegie-Plastikës.
6-vjeçarja raportohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa po trajtohet në terapi intensive.
“Pas vlerësimit të gjendjes shëndetësore, e mitura, aktualisht në gjendje kritike për jetën, u hospitalizua menjëherë në Shërbimin e Terapisë Intensive të Pediatrisë në QSUT, ku po trajtohet nga mjekët pediatër, reanimatorë dhe specialistët e djegie-plastikës, sipas të gjitha protokolleve mjekësore në fuqi”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, mësohet se Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka mbërritur personalisht në ambientet e QSUT pak minuta pas ardhjes së fëmijës dhe po ndjek nga afër situatën, së bashku me drejtoreshën e përgjithshme të QSUT, Anxhela Paparizo.
Reagimi
Në orët e mbrëmjes, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka mbërritur për trajtim mjekësor 6-vjeçarja, N.A, e lënduar nga ngjarja e rëndë sot në qarkun e Korçës.
Pacientja u prit në urgjencën e Shërbimit të Djegie-Plastikës nga ekipi mjekësor, i cili ishte në komunikim të vazhdueshëm me mjekët, që e shoqëronin gjatë transportit nga Korça drejt Tiranës.
Pas vlerësimit të gjendjes shëndetësore, e mitura, aktualisht në gjendje kritike për jetën, u hospitalizua menjëherë në Shërbimin e Terapisë Intensive të Pediatrisë në QSUT, ku po trajtohet nga mjekët pediatër, reanimatorë dhe specialistët e djegie-plastikës, sipas të gjitha protokolleve mjekësore në fuqi.
Pak minuta, pas mbërritjes së 6 vjeçares, në QSUT ka mbërritur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, e shoqëruar nga drejtoresha e përgjithshme e QSUNT, Anxhela Paparizo dhe po ndjekin nga afër gjendjen e saj, në komunikim të vazhdueshëm me ekipin e përbashkët mjekësor të Shërbimit të Djegie-Plastikës dhe Shërbimit të Terapisë Intensive të Pediatrisë në QSUNT.
MSHMS shpreh ngushëllimet për humbjen e pjesëtarëve të familjes dhe po qëndron në komunikim me QSUT, minutë pas minute për gjendjen shëndetësore të së miturës.