Shokët e klasës së Erionit, 15-vjeçarit i cili ndërroi jetë mbrëmë (4 dhjetor) në spital, si pasojë e plagëve të marra disa ditë më parë nga një goditje me thikë nga bashkëmoshatari i tij, i dhanë sot lamtumirën e fundit shokut të tyre.
Me lot në sy, shokët e klasës bashkë me mësuesit i dedikuan disa rreshta 15-vjeçarit.
“Përse na le more shok, përse ike Erion? Si na e thave zemrën kështu?”, janë fjalët që u shkruan sot në tabelën e klasës në nder të Erionit.
Gjithashtu klasa e Erionit vendosi sot lule në bankën e të ndjerit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook të shkollës, nxënësit dhe mësuesit e “Dom Nikoll Kaçorit” shprehën se vdekja e Erionit ishte një humbje e madhe për këtë shkollë.
“Stafi mesues -nxenes i shkolles “Dom Nikoll Kacorri” i shpreh ngushellimet me te sinqerta dhe te perzemerta familjes Boba per humbjen e djalit te tyre.
Erioni na la … iku nga kjo jete,nga familja dhe shoket e tij. Sot la zemerthyer cdokend qe e njihte.
Ishte buzeqeshja ,alegria dhe dashuria e cdo shoku ne shkolle…I paharruar qofte kujtimi yt Erion! Ikja jote do te jete nje humbje e madhe dhe nje plage e pambyllur ne zemrat tona.”, thuhet në postim.
Erion Boba ndërroi jetë pas 9 ditësh në intubim. Ai u plagos me thikë në zemër gjatë një sherri me bashkëmoshatarët e tij në Durrës.
I mituri humbi jetën në Reanimacionin Qendror të Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ishte transferuar prej 7 ditësh, nga spitali i Durrësit.
Ngjarja ndodhi më 25 nëntor në rrugën “Laguna e Karavastasë”, në zonën e ish-Kënetës, ku të miturit kishin lënë takim me njëri-tjetrin me pretendimin për t’u “sqaruar” pas debateve online.
Të dy adoleshentët mbërritën në vendin e takimit të shoqëruar nga miq të tjerë dhe pas debatit me tone të ashpra situata degjeneroi në përleshje fizike, ku janë përdorur edhe sende të forta.
Gjatë konfliktit, 14-vjeçari me inicialet M.K. ka goditur me thikë katër herë 15-vjeçarin. Pas ngjarjes, ai është arrestuar nga Policia e Durrësit.
Kujtojmë se babai i 15-vjeçarit zbuloi pak ditë më parë se i biri ndodhej në intubim dhe mjekët po prisnin reagimin e trurit, që ai të dilte nga kujdesi intensiv, por adoleshenti nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë ditën e djeshme, 4 dhjetor.


