Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, pati sot një përplasje në një qendër të numërimit të votave pranë shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë me nënkryetarin e KZAZ nr. 40, pasi ky i fundit urdhëroi që vëzhguesit e partive politike të largoheshin nga QV.
Shehaj kundërshtoi urdhrin dhe kërkoi të qëndrojë brenda në qendër votimi për të ndjekur nga afër procesin dhe për të parë fletët e votimit të partisë “Mundësia”, të cilat numëruesit i kishin konsideruar si të pavlefshme.
Sipas numëruesve, bëhet fjalë për tre vota të partisë “Mundësia” që janë shpallur të pavlefshme për shkak të ngjyrës së zbehtë të fletës së votimit.
“Unë vij këtu e kërkoj llogari jo se janë votat e partisë Mundësia po se janë votat e qytetarëve” i tha Shehaj nënkryetarit të KZAZ.
“Numëruesit u ndjenë të kërcënuar duke ardh sipër tavolinave”, u përgjigj nënkryetari i KZAZ.
“Ju po vidhni votat e qytetarëve, mbani përgjegjësi…A mund të më tregosh votat e Partisë Mundësi? Janë votat e qytetarëve, numëro votat aty pa futur duart. Çfarë shikon? Mendon se po kërcënon. Ne kemi vëzhgues, na nxirr votat e partisë Mundësia aty”, i tha Shehaj nënkryetarit të KZAZ me tone të larta.