Kryetari i bordit të klubit Partizani, Filip Çakuli, ka reaguar ndaj deklaratave të Sali Berisha, i cili pretendoi se klubi kontrollohet nga Olsi Rama për pastrim parash.
Në një deklaratë, Çakuli i cilëson këto akuza si të pavërteta, duke theksuar se Partizani është në pronësi të biznesmenit Gazment Demi dhe funksionon si një shoqëri aksionare e audituar rregullisht sipas standardeve të UEFA.
Sipas tij, Olsi Rama është thjesht një punonjës i klubit, njësoj si pjesa tjetër e stafit, dhe marrëdhënia e tij me klubin mund të verifikohet përmes dokumentacionit financiar dhe sigurimeve shoqërore.
“Olsi është thjeshtë rrogëtar, si gjithë stafi tjetër dhe kjo mund të vërtetohet me dokumente, me borderotë, me sigurimet shoqërore të paguara çdo muaj. FK Partizani është një shoqëri aksionare që kontrollohet dhe auditohet çdo vit sipas rregullave financiare të UEFA-s në kuadër të proçesit të liçensimit dhe prej rreth 10 sezonesh merr pjesë rregullisht në kompeticionet europiane”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Reagimi i plotë
KRYETARI I BORDIT TË FK PARTIZANIT I PËRGJIGJET DR.PROF. SALI BERISHËS
Plaku i rrjedhur demokrat doli sot e foli se klubin Partizani e ka Olsi Rama. Ky mashtrues ordiner vazhdon të shpif në vazhdimësi për një Klub, në pronësi të biznesmenit Gazment Demi. Olsi është thjeshtë rrogëtar, si gjithë stafi tjetër dhe kjo mund të vërtetohet me dokumente, me borderotë, me sigurimet shoqërore të paguara çdo muaj.
FK Partizani është një shoqëri aksionare që kontrollohet dhe auditohet çdo vit sipas rregullave financiare të UEFA-s në kuadër të proçesit të liçensimit dhe prej rreth 10 sezonesh merr pjesë rregullisht në kompeticionet europiane.
Në vend të jap llogari se si tjetërsoi gjjthë pronat e këtij klubi legjendar, si zhduku nje kompleks modern ne rrugën “Frosina Plaku”, me firmat e tij, ka guximin të përmend Partizanin në (për)daljet e tij publike. Nuk mjafton që Gaz Demi mori vetëm një stemë dhe tani përveçse mban Klubin, ka ndërtuar edhe kompleksin sportiv, me stadium e hotel, restorant dhe anekse të tjera të nevojshme për mbarëvajtjen e ekipit, por duhet të dëgjojë dhe dënglat e një shpifaraku të njohur dhe i damkosur familjarisht për “korrupsion madhor”. Kësaj i thonë të kesh 2 b… (jo Berishë); një ta çash, një ta mbash. Veç që është i detyruar të përballët me shpifje në Gjykatë, por të paktën ta mbajnë familjarët të mbyllur në shtëpi, se është bërë gazi i dynjasë dhe dordolec, që tremb vetëm demokratët kur e shohin. Njeriu ka të drejtë të jetë budalla, por jo të abuzojë me këtë të drejtë. PD-ja e tij mund të përdor fjalët e Ruzveltit për Somozën, “Është vërtet budallë, po është budallai ynë”… i pafshin hajrin! Dhe po të ishte vetëm budallallëku, hajt mo, do ta tallnim, siç tallën shqiptarët Këtu duhet të citoj Brehtin, “kush nuk njeh të vërtetën është vetëm budalla, por kush e njeh dhe e quan atë gënjështër, atëherë ai është kriminel”. Tamam për Saliun.
Të vjen keq, nga një anë, që ka roitur kaq shumë, sa, jo vetëm që nuk e beson njeri, po tallen me të, duke treguar me gisht, “doli prapë ky tuafi”.
Me kë merrem dhe unë, me një gënjeshtar patologjik mediokër. Dhe nëse këtij mediokri i heqin gënjeshtrën, thotë Ibseni, i rrëmbejnë lumturinë. Dhe në fund dua ta mbyll me një barsoletë. Thonë, që kur vajti në një vend arab me delegacionin presidencial, rregulli i tyre ishte që të bëheshin synet. Për 10 minuta mbaronte çdo anëtar delegacioni. Kur erdhi radha e doktorit president, procedura e synetit vazhdoi me orë të tëra. Shoqëruesit e tij, të shqetësuar, hyjnë në sallë dhe po ziheshin me mjekët. “Nuk dimë nga ta kapim, se është komplet karizmatik”, u justifikuan ata… Dhe në mbyllje duhet të shtoja edhe fjalinë që Riçard Niksoni i thotë Ajzenauer: Zotni erdhi koha, që ose duhet të shuroni, ose duhet të largoheni nga karrigia juaj…
FILIP ÇAKULI
KRYETAR I BORDIT
FK PARTIZANI
Çfarë tha Sali Berisha ?
Kreu i PD, Sali Berisha tha dje (25 mars) se “Partizani” po përdoret nga vëllai i kryeministrit, Olsi Rama për pastrim parash ndërsa “Dinamo” nga Ergys Agasi, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen e AKSHI-t.
Berisha kërkoi hetim urgjent nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit për shkeljet që sipas tij, po kryhen në favor të familjes së kryeministrit.
“Klubi Dinamo pasi i morën 75 mijë metër katrorë tokë, ia plaçkitën, e transferuan në Durrës për Ergys Agasi City. Klubin Dinamo e kishte më parë një Paskuçi, në mos gaboj është një tregtar kafeje. Këtij në mënyrat që e dinë vetë këta, e detyruan të shesë aksionet por kush janë blerësit? Ergys Agasi dhe Soto junior. Por de facto është Agasi, dhe pas kësaj vjen Agasi Manchester City. Pas kësaj vjen Agasi akademia e futbollit.
Pra shikoni se si kreu i Meduzës, i organizatës kriminale akaparoi dy klubet e mëdha sportive të vendit me Olsin, klubin Partizani, që lajnë para nga mëngjesi deri në darkë, me Ergysin klubin Dinamo. I bëj thirrje federatës ndërkombëtare të futbollit të ndërmarrë hetim urgjent ndërkombëtar për çmontimin e këtyre strukturave supermafioze që kanë pushtuar të dy klubet prestigjioze me histori të pamohueshme të futbollit dhe që përdoren në funksion të interesave mafioze të familjes së Edi Ramës.
Në të dyja lahen paratë e drogës, aty janë kthetrat e mafias mbi bastet sportive e të tjera. “, tha ai.


