Mbledhja e sotme e Kryesisë së Partisë Demokratike është shoqëruar me debate të forta dhe tone të larta mes drejtuesve të partisë, duke nxjerrë në pah përplasjet e brendshme në një moment të tensionuar politik.
Sipas burimeve nga mbledhja me dyer të mbyllura, në qendër të debatit kanë qenë Flamur Noka dhe Ervin Salianji, në prani edhe të kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Përplasjet kanë qenë të drejtpërdrejta dhe të ashpra, me akuza të ndërsjella mes palëve.
Mësohet se Flamur Noka i është drejtuar Salianjit duke e akuzuar se me qëndrimet e tij “po u shërben atyre që janë përballë Partisë Demokratike”. Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Salianjit, i cili ka kërkuar dorëheqjen e Nokës, duke e akuzuar për dëmtim të partisë dhe përgjegjësi direkte për situatën e krijuar.
“Sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrëzuar Ramën, e paskeni me mua. Po e zhvendosni vëmendjen plotësisht nga Rama”, është shprehur Salianji gjatë debatit, duke vënë theksin te devijimi, sipas tij, i fokusit politik të Kryesisë.
Burimet bëjnë me dije se tonet në mbledhje kanë qenë mjaft të larta dhe debatet shumë të forta, ndërsa mbledhja vijon ende. Deri më tani nuk ka një qëndrim zyrtar nga drejtuesit e Partisë Demokratike lidhur me përplasjet e ndodhura.


