Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Ekrem Skurenin, drejtuesin e automjetit që katër ditë më parë përplasi tre fëmijë të mitur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.
Ngjarja ndodhi teksa tre fëmijët po lëviznin me një monopatinë elektrike. Përplasja u pasua me plagosjen e të miturve, të cilët u transportuan menjëherë në spital.
Sipas informacioneve zyrtare, dy prej fëmijëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën. I mituri O.A., 11 vjeç, ka pësuar dëmtime në këmbë, ndërsa E.S., 9 vjeç, ka marrë plagë në krah. Të dy ndodhen në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.
Më problematike paraqitet situata për fëmijën e tretë, J.N., 11 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të dëmtimeve në kokë.
Policia ka sekuestruar mjetin e aksidentit dhe vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policise per ngjarjen:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 10:30, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, shtetasi E. K., rreth 41 vjeç, ka përplasur me automjetin që drejtonte, 2 monopatina me të cilat lëviznin 3 të mitur.
Si pasojë janë demtuar 3 të miturit, të cilët janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve.
Shtetasi E. K. është shoqëruar në Komisariat, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Ndërkaq, një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e aksidentit.