22-vjeçari Fatjon Kasaj humbi jetën tragjikisht në janar të këtij viti në Vlorë, pasi u përplas me makinën që drejtohej një 80-vjeçar, teksa vetë ishte duke lëvizur me motor.
Autori i aksidentit u arrestua menjëherë pas ngjarjes së rëndë, por ajo që ndodhi më pas ka ngritur dyshime të forta për familjen e Fatjonit të ndjerë.
Sipas denoncimeve të familjes, u përhap lajmi për vdekjen e autorit të ngjarjes fillimisht nga burime jo zyrtare, duke thënë se ai kishte ndërruar jetë në burg. Më pas u tha se kishte vdekur në shtëpi. Disa ditë më vonë, qarkulloi lajmi se ishte liruar me arrest shtëpie.
Por ajo që i thelloi edhe më tej plagët e familjes ishte një tjetër informacion i ardhur nga burime të tjera se autori i aksidentit ishte larguar në Itali te një prej fëmijëve.
Vetëm ditë e shtunë lajmi u konfirmua kofidencialisht se autori Josif Kozdine kishte ndërruar jetë dhe ceremonia mortore u zhvillua të shtunën e kësaj fundjave.
Nëna e 22-vjeçarit deklaron për emisionin “Me Zemër të Hapur” se nuk ka asnjë informacion zyrtar në lidhje me fatin të moshuarit.
“Asnjë nuk na ka dhënë informacion. As prokurorët nuk na kanë thënë gjë nëse ka vdekur apo jo. Si mund t’i jepet një 81-vjeçari patentë. Na thonë që ka punuar edhe taksixhi, ka çuar njerëz që kishin ardhur nga Italia”, shprehet ajo.
Ndërsa ka edhe një apel: “Kam një apel kam për mjekët që japin patenta dhe bëjnë këto veprime. Edhe fëmijët të kontrollojnë prindërit për moshat e mëdha”, tha ajo.