Pasditen e sotme rreth orës 17:36 në zonën e Golemit, Kavajë, dy mjete lundruese të tipit Jet Ski janë përplasur në det, rreth 800 metra larg bregut, në zonën e quajtur “Manhatan”.
Sipas informacionit paraprak, një nga mjetet drejtohej nga shtetasi S. D., 25 vjeç, lindur në Çorovodë, ndërsa tjetri nga shtetasi P. B., 31 vjeç, nga Kosova. Si pasojë e përplasjes, P. B. ka pësuar dëmtime dhe është transportuar menjëherë në spital nga shërbimet e Policisë Kufitare, që po monitoronin zonën detare. Mësohet se i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, drejtuesi tjetër, S. D., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Nga të dhënat paraprake rezulton se të dy personat po lundronin së bashku dhe ishin të pajisur me jelekë shpëtimi. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Kavajë / Informacion paraprak
Rreth orës 17:36, në Golem, Kavajë, në vendin e quajtur “Manhatan”, rreth 800 metra larg perimetrit të sigurisë,(zonë detare për lundrim jo zonë plazhi), shtetasi S. D., 25 vjeç, lindur në Çorovodë, duke drejtuar një motor uji, është përplasur në det me një tjetër motor uji, që drejtohej nga shtetasi P. B., 31 vjeç, lindur në Kosovë.
Si pasojë e përplasjes, shtetasi P. B. ka pësuar dëmtime dhe është transportuar menjëherë në spital, nga shërbimet e Policisë Kufitare që po monitoronin hapësirën detare. Aktualisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasi S. D. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Nga verifikimet paraprake, rezulton se të dy drejtuesit e mjeteve lundruese po lundronin së bashku dhe ishin të pajisur me jelekë shpëtimi.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të përplasjes së dy Jet Ski-ve.