Moti i keq në Shqipëri ka shqetësuar jo vetëm qytetarët vendas, por edhe selitë diplomatike në vendin tonë.
Ambasada e SHBA paralajmëroi sot me një postim në rrjetin social X shtetasit amerikanë që të tregohen të kujdesshëm, pasi “përmbytjet po përkeqësohen”.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë po monitoron vazhdimisht përmbytjet në të gjithë vendin dhe u bën thirrje të gjithë shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes maksimal në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, të cilat po përkeqësohen. Disa zona në mbarë vendin janë nën urdhër evakuimi. Përmbytjet mund të ndodhin pa paralajmërim, ndërsa reshjet e shiut mund të shkaktojnë mbyllje rrugësh për shkak të përmbytjeve ose rrëshqitjeve të dheut”, thuhet mes të tjerash në njoftim.
Sipas paralajmërimit dhe këshillave, “shtetasit amerikanë duhet të shmangin zonat e prekura”, veçanërisht ato që janë nën urdhër evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e policisë në lidhje me mbylljet e rrugëve apo ndërprerjet e qarkullimit.
“Ndiqni lajmet lokale për përditësime mbi situatën e përmbytjeve dhe planifikoni lëvizjet tuaja në përputhje me to. Edhe Google Maps mund të ofrojë informacion në kohë reale për mbylljet e rrugëve dhe përmbytjet. Mos tentoni të drejtoni automjetin në zona të prekura nga përmbytjet. Kërkoni një rrugë alternative ose konsideroni shtyrjen e udhëtimit nëse nuk ka një rrugë tjetër të sigurt”, nënvizohet po aty.



