Reshjet e dendura dhe përmbytjet kanë shkaktuar situata emergjente në disa qarqe të vendit, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar për të përballuar efektet dhe për të evakuuar banorët e prekur.
Sipas ministrisë së Mbrojtjes situata më problematike raportohet në Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera gjendja është nën monitorim ose pa rrezik të menjëhershëm.
Situata sipas qarqeve:
Shkodër
Fshati Obot ka nivel të ujit mbi rrugën kryesore deri në 60 cm, ndërsa 15 banesa në Vaun e Dejës janë të rrethuara nga uji. Në disa fshatra të Malësisë së Madhe dhe në bashkinë Fushë-Arrëz ka rrugë të bllokuara, shkarje dherash dhe rënie gurësh.
Lezhë
Rreth 3,000 ha tokë bujqësore janë nën ujë. Janë evakuuar dy familje, ndërsa rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll. Në fshatrat Torovicë dhe Tresh ka rrëshqitje dherash, ndërsa po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Droje në Dukagjin.
Vlorë
Niveli i Vjosës në Novoselë ka kaluar 8 metra. Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe Novoselës. Nuk ka prezencë uji në banesa.
Durrës
Situata është drejt përmirësimit, por rreth 800 banesa dhe objekte ende janë nën ujë. Lumenjtë Erzen, Ishëm dhe kanali i Tones janë në kuota maksimale. Aktualisht 305 persona janë strehuar në qendra emergjence. Bashkitë Krujë dhe Shijak raportojnë vërshime dhe banesa të prekura nga uji.
Gjirokastër
Rreshjet e dendura kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër dhe nivele të larta të lumit Vjosë në Memaliaj dhe Përmet. Disa zona malore kanë mbetur pa energji elektrike.
Berat dhe Fier
Në Berat, rreth 95 ha tokë bujqësore dhe zona urbane si 22 Tetori dhe Goricë janë prekur nga uji. Në Fier, rreth 200 ha tokë bujqësore dhe 27 banesa në disa fshatra janë të përmbytura.
Në qarqe të tjera si Kukës, Tiranë dhe Korçë, lumenjtë janë në nivele të larta dhe disa rrugë të pakalueshme, por pa problematika kritike.
Ministria e Mbrojtjes thote se në total janë angazhuar: rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura; mbi 20 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe të tonazhit të rëndë; 10 gomone/motobarka shpëtimi; 15 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe të vogël.
Forcat janë shpërndarë kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Fier, në funksion të evakuimeve, përforcimit të argjinaturave dhe largimit të ujërave.


