Një përleshje me pasojë një person të plagosur ka ndodhur në qytetin e Pogradecit.
Policia vendore bëri me dije se ngjarja ndodhi pas konfliktit mes tre personave. Në pranga ra i dyshuari E.Ç., 34-vjeç, të cilit i janë sekuestruar edhe një palë gërshërë.
I dëmtuar nga sulmi mbeti I.B., 52 vjeç, i cili mori dëmtime në trup, por pa rrezik jete.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin E. Ç., 34 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 5, Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasit E. A., 31 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec dhe I. B., 52 vjeç, banues në Pogradec, dyshohet se ka dëmtuar me mjet të mprehtë, shtetasin I. B.”, bëri me dije policia vendore.
Pas hetimeve paraprake dhe kontrolleve, gjatë kontrollit fizik, autorit të dyshuar iu gjetën një thikë dhe një send i mprehtë (gërshërë), të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Hetimet e mëtejshme i kaluan prokurorisë vendore, për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe motivet e krimit të ndodhur.


