Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka vendosur që të bllokojë totalisht aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, për shkak të urës që po shembet në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.
Pas vlerësimit në terren, autoritetet vendosën ndalimin e qarkullimit për mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusët por për shkak të përkeqësimit të situatës, është vendosur ndalimi total i çdo mjeti.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli tha se pas një inspektimi, vendosën bllokimin total të rrugës. Sipas tij, qarkullimi do të mbetet i bllokuar deri në marrjen e një mase provizore me një Bypass në krah të skarpatës që po zhvillohet aktualisht.
“Kemi në mbikëqyrje tashmë prej javësh por gjatë 48 orëve të fundit ka pasur përkeqësim të ndjeshëm, dhe jemi të detyruar të bllokojmë përkohësisht trafikun deri në zbatimin e një mase provizore me një Bypass në krah të skarpatës që po zhvillojmë. Ka një zhvillim të vazhdueshëm në përkeqësim se nga mëngjesi spostimi i urës ishte 27 cm, ndërkohë që aktualisht është 29 cm.
Nga vizita që bëmë poshtë urës, po thërrmohet betoni. Kështu që jemi të detyruar të bëjmë bllokimin total jo vetëm për mjetet e rënda sikurse njoftuam në mëngjes, por edhe për mjetet normale. Sot në orën në mëngjes zhvilluam një mbledhje në mëngjes, dhe konkluzioni ishte ky. Por po verifikonim saktë në terren që të ishte masa e duhur. Ura në këtë moment nuk shfaq absolutisht siguri.”, u shpreh ai.
Ndërkohë, situata ka sjellë pasoja të menjëhershme në qarkullim. Autokolona e autobusëve me kapacitet 40 vende ka arritur deri në 2–3 kilometra, si në hyrje të Librazhd, ashtu edhe në zonën e Hotolishtit.


