Situata nga zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës vijon të përkeqësohet, ndërsa flakët kanë marrë përmasa të mëdha dhe janë zhvendosur deri në zonën e Zall Gjoçajt, duke rrezikuar stane bagëtish dhe dhjetëra koshere bletësh.
Gazetari Enver Doçi raporton se vatra e zjarrit, e shfaqur rreth dy javë më parë në afërsi të Liqenit të Luleve, ka përfshirë tashmë një sipërfaqe të madhe me pyje me pishë të zezë, ah dhe bimësi të ndryshme.
Përpjekjet për shuarjen e flakëve vijojnë me dhjetëra forca nga ADZM Dibër, Shërbimi Zjarrfikës i Bashkisë Dibër, Shërbimi Pyjor, punonjës të zonës, si dhe forca të armatosura, por deri tani nuk është bërë e mundur neutralizimi i plotë i zjarrit.
Kushtet atmosferike janë gjithashtu sfiduese: era e fortë dhe terreni i thepisur malor po e bëjnë të pamundur kontrollin e situatës nga toka.
Ndërkohë, flakët janë afruar rrezikshëm pranë stanëve të verimit për bagëtitë e imta, gjedhët dhe mbi 100 koshere bletësh, duke kërcënuar një dëm të madh ekonomik për komunitetin lokal.
Autoritetet vendore kërkojnë ndërhyrje nga ajri, pasi vetëm një operacion me helikopter mund të ndalojë përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Liqenet e Lurës dhe ato të malit të Balgjajt, që ndodhen afër zonës së përfshirë, mund të shërbejnë si burim uji për ndërhyrje ajrore, që do të ishte jetike për mbrojtjen e Parkut Kombëtar dhe pasurive natyrore të tij.