Princesha trashëgimtare e Norvegjisë, Mette-Marit, mund të duhet të nënshtrohet një transplanti mushkërish, pas përkeqësimit të gjendjes së saj për shkak të fibrozës pulmonare kronike.
“Sëmundja është përkeqësuar ndjeshëm këtë vjeshtë”, tha princesha gjatë programit The Year with the Royal Family të transmetuesit publik norvegjez Nrk.
“Përparimi i sëmundjes ka qenë më i shpejtë nga sa prisja,” shpjegoi Mette-Marit, duke shtuar se mjekët kishin pasur disa biseda gjatë vjeshtës për një transplant mushkërish.
Princesha tha gjithashtu se kishte ditur prej kohësh se transplanti mund të bëhej një nga hapat e nevojshëm të trajtimit të saj.
“E dija që kjo mund të ndodhte që në fillim,” tha ajo. “Vetëm ideja që kjo është hapi tjetër është mjaft sfidues, sepse është një operacion me shumë rreziqe.”
Mette-Marit përshkroi gjithashtu kufizimet që sëmundja ka vendosur në jetën e përditshme dhe në detyrat e saj publike.
“Ndryshimi më i madh për mua është që nuk mund të bëj gjërat që bëja më parë. Ka thjesht shumë gjëra që nuk mund t’i bëj”, tha ajo.
Mjeku i princeshës, Are Martin Holm, kryetar i departamentit në Rikshospitalet, Oslo, tha për Nrk: “Aktualisht, sëmundja është kaq serioze sa po fillojmë të përgatitemi për përkeqësime të mëtejshme. Dhe pastaj, e vetmja gjë që mund të bëhet është transplanti.”
Ai shtoi megjithatë se “fatmirësisht, ende nuk jemi në atë pikë”, duke theksuar përkeqësimet që kanë ndodhur gjatë vitit 2025.
Në një njoftim nga pallati mbretëror thuhet se “Këtë vjeshtë janë kryer disa ekzaminime që tregojnë një përkeqësim të qartë të shëndetit të princeshës.”
Sipas pallatit, ende nuk është vendosur se kur Mette-Marit do të futet në listën e pritjes për transplant.
Kush është Mette-Marit
Princesha trashëgimtare e Norvegjisë, Mette-Marit, 52 vjeç, u martua me Princin Haakon, trashëgimtar i fronit norvegjez, në vitin 2001. Çifti ka dy fëmijë: Princeshën Ingrid Alexandra dhe Prinçin Sverre Magnus.
Mette-Marit, ish-nënë e vetme dhe pa titull nobiliar, shkaktoi polemika gjatë fejesës së saj me princin në vitin 2000. Ajo u diagnostikua me fibrozë pulmonare në vitin 2018, një sëmundje kronike që shkakton shenja në mushkëri dhe redukton aftësinë për të marrë oksigjen.
Çfarë është fibrozë pulmonare
Fibroza pulmonare është një sëmundje kronike dhe progresive ku indet e mushkërive trashehen, bëhen të forta dhe formojnë cikatrice. Kjo pengon funksionimin normal të mushkërive dhe shkëmbimin e oksigjenit me dioksid karboni, duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje dhe lodhje të vazhdueshme.


