Mbrëmja e së premtes e gjeti Gazën nën sulme ajrore.
Në fakt, bombardimet në këtë pjesë të Palestinës u kthyen pas disa ditëve pauzë në luftime, si rezultati i armëpushimit mes Izraelit e Hamasit.
Por, është kjo e fundit, që sipas sekretarit amerikan të shtetit, Antoni Blinken, prishi qetësinë e përkohshme e cila mundësoi lirimin e pengjeve, të të burgosurve dhe furnizimin me ndihma për popullatën civile.
“Është me rëndësi të kuptohet pse përfundoi pauza. Kjo ndodhi për shkak të Hamasit. Hamasi nuk i mbajti zotimet e veta, madje i theu ato para se të përfundojë armëpushimi”, ka thënë Blinken.
Ai shtoi se Hamas kreu një krim terrorist në Jerusalem, duke vrarë tre njerëz, e lënduar disa tjerë, përfshirë amerikanë.
“Filloi të lëshojë raketa pa përfunduar pauza. Dhe siç thashë, i theu zotimet e veta për sa i përket lirimit të disa personave të caktuar që ishin zënë robër”, është shprehur diplomati amerikan.
Edhe Izraeli e akuzoi Hamasin se e shkeli marrëveshjen, ndërsa organizata e shpallur terroriste nga shume shtete e qeveri nëpër botë, akuzoi Jerusalemin zyrtar se hodhi poshtë ofertën për të liruar më tepër pengje dhe të burgosur.
Më shumë se 100 të zënë robër u liruan gjatë fazës së armëpushimit, kryesisht gra dhe fëmijë. Izraeli ka thënë Hamasi është duke i mbajtur si robër lufte edhe 137 persona.
Blinken tha se pavarësisht kësaj, Amerika mbetet e përkushtuar për të sjellë sa më shumë pengje në shtëpi e po ashtu edhe për të siguruar një paqe afatgjatë, si për palestinezët e izraelitët, po ashtu edhe për tjerët në Lindjen e Mesme.