NGA AGIM NESHO
Sa më afër vjen dita e llogaridhënies për regjimin Rama për masakrën zgjedhore të 11 Majit, aq më shumë regjimi merr masa ektreme për të kontrolluar situatën.
Filloi me marrjen e kompetencave të pushtetit lokal, duke hedhur në rrugë drejtorët që i kishte përdorur vetë për zgjedhjet, vazhdoi me heqjen masive të karrigeve dhe tavolinave në rrugë, ku vetë zoti Rama tregonte pamjet estetike të Rilindjes 2.0; futi fadromat dhe shkatërroi ndërtimet në Theth, kur vetë kryeministri ju kishte premtuar të kundërtën; nxori në diskutim kodin e ri penal, që mund të burgosesh nëse nuk je dakort dhe shan udhëheqjen; i hoqi sinjalin një nga TV informativ më të mëdha në vend, për të kontrolluar mediat, pavarësisht se News 24 është pasuri publike.
Ky është realiteti i demokracisë shqiptare që po “shkëlqen”, jo vetëm për arabët që kanë gjetur në Shqipëri shpellën e Ali Babës me 40 hajdutë, por edhe për ata europianë të mahnitur nga sharmi i udhëheqësit të madh, që përulet aq fisëm dhe që përdor me mjeshtëri aromat dehëse të kanabisit politik shqiptar, që ju mundëson burokratëve të varfër europianë një jetë të shëndetshme.
Por mbyllja e Tv News 24 është një ngjarje e rëndë, e turpshme, për të kapur median e lirë dhe kontrolluar cdo hapësirë publike. Kjo ngjarje nuk ka të bëjë me kontratat e pronarit me bashkinë apo hapësirat ku ushtron veprimtarinë News 24. Kur janë institucione me interes publik, për më tepër media informative, mjafton vullneti politik për të gjetur zgjidhje.
Nuk themi ti bëjë partnerë strategjikë si ndonjë televizion tjetër kombëtar, që për arsye financiare është kthyer në zë i vetëm i qeverisë, por të ofrojë kompromis dhe zgjidhje. Ky është rasti për të frikësuar mediat e tjera dhe penalizuar zërat tepër profesionalë të gazetarëve të News 24, emrat e të cilëve janë jo vetëm të respektuar në opinionin publik por edhe përpunojnë opinion. Të gjithë ne dëgjojmë me vëmendje analizat e të madhit Lubonja, qëndrimet dhe analizat ne emisionet e këndshme dhe të mirë-përgatitura të Endri Xhafos, Ola Bruko, Klodiana Lalës, Nisida Tufa etj., dhe brezit të gazetarëve të rinj të talentuar. Por regjimi është lodhur nga banaqet televizive, këtyre kënetave që vetëm hedhin baltë. Fatit të Agon Chanel, Ora News, duan ti shtohet edhe News 24.
Ajo që ka mësuar mirë regjimi nga Vucic dhe Maduro është kontrolli total i mediave të lira. Por ndërsa në Serbi dhe Venezuela populli është në protestë dhe i ngritur në këmbë kundër korrupsionit dhe kapjes së mediave, studentët shqiptarë dhe shoqëria civile është me pushime. Populli duhet të ngrihet në këmbë në një kohë të instalimit të diktaturës. Regjimi vepron se shikon mosreagimin tonë dhe indiferencën që ai do ta blejë.
Ky rast i rëndë i goditjes së shtypit të lirë duhet të jetë një shtytje për opozitën e vërtetë demokratike për të mbrojtur demokracine, por edhe për të kërkuar nga BE ligjin e ri për mediat e lira, paprekshmërinë dhe mbrojtjen e tyre duke filluar me largimin e pronarëve nga drejtimi redaksional dhe krijimin me ligj të bordeve drejtuese të pavarur. Me këtë ligj do të shkëputen tentakulat e pushtetit autokrat që kontrollojnë mediat duke i bërë pronarët e tyre të varur nga lejet dhe projektet publike.
Veprimet ekstreme të Ramës me projekt-kodin penal, me cënimin e autonomisë së pushtetit vendor, dhe me kapjen e medias së lirë tregon qartë që rruga europiane e Ramës ekziston vetëm si propagandë.
Nga frika që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të jetë i vështirë apo i pamundur, ai po përpiqet të kapë cdo gjë. Për të mos u bërë dëshmitarë të farsës demagogjike të 2029-ës se “Europa nuk na pranoi, por Shqipëria është me europiane se ajo vetë”, duhet ti kursejmë vetes kohë për të mos njohur farsën elektorale të 11 Majit dhe të kthejmë shtetin e së drejtës në Shqipëri. Ky nuk është opsion për tu zgjedhur, por domosdoshmëri.