Me firmën e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, qeveria miratoi më 12 mars 2025 një vendim që i kalon shoqërisë shtetërore “KAYO” pronësinë e godinave të ish-Uzinës së Autotraktorëve, të cilat ndodhen në zonën e Shkozës
Bazuar mbi ligjin e “Vetëqeverisjes vendore” të vitit 2015, të miratuar nga vetë qeveria “Rama”, i vetmi organ që mund të trajtojë pronat në pronësi të Bashkisë Tiranë është Këshilli Bashkiak. PD e cilësoi këtë vendim si një shkelje të ligjit dhe Kushtetutës pasi sipas saj Këshilli Bashkiak ka ekskluzivitetin për të autorizuar veprimet në lidhje me pronat dhe se vendimi i Këshillit të Ministrave është i paligjshëm.
Partia Demokratike e denoncoi vendimin e zj.Balluku duke paralajmëruar se dosjen do ta çojë në SPAK por ndërkohë kërkon zyrtarisht mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës. PD ka depozituar një kërkesë në Bashkinë e Tiranës, të cilën e ka siguruar gazeta “Panorama” për mbledhjen urgjente të Këshillit, pasi sipas demokratëve vetëm ky i fundit ka të drejtën të autorizojë veprimet ndaj këtyre pronave.
Ky vendim kërkon të merret me tri të pestat në këshill, ndaj kërkojnë të anashkalohet ky votim. Ndaj këshilltarët demokratë i janë drejtuar Zj.Romina Kuko, kryetare e Këshillit Bashkiak, kryebashkiakut Erion veliaj, dhe Prefektit të Tiranës Afrim Qëndro që të fusë në rend dite në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak.
KËRKESA E PLOTË E KËSHILLTARËVE TË PD-SË
Kërkesë për futjen në rend dite në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak të trajtimit të çështjes së revokimit nga Këshilli i Ministrave të së drejtës së pronësisë të Bashkisë Tiranë dhe transferimit e pronësisë te Shoqëria Shtetërore “KAYO”, SH.A., të pasurive pjesë të pronës nr. 16, me emërtimin “Ish-uzina e pjesëve të ndërrimit të automjeteve”, me vendndodhje në zonën kadastrale 8170, Njësia Administrative nr. 1, Tiranë, dhe kërkesë për informacion. Më datë 12.03.2025, Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për “Revokimin e së drejtës së pronësisë Bashkisë Tiranë dhe transferimin e pronësisë te shoqëria shtetërore “KAYO”, SH.A. të pasurive, pjesë të pronës nr.16, me emërtimin “Ish-uzina e pjesëve të ndërrimit të automjeteve” në zonën kadastrale 8170, Tiranë. Kjo VKM është në shkelje të plotë të Ligjit Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, dhe të Rregullores për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, në të cilat citohet: ligji Nr. 139/2015, Neni 54, shkronja e, “Këshilli bashkiak miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve”; Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, Neni 58, pika 6 “Vendimet merren me jo më pak se tre të pestat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit për rastin e parashikuar në shkronjën “e”, të nenit 54, të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”.
Ju kërkojmë futjen në rend dite në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak të trajtimit të çështjes së revokimit nga Këshilli i Ministrave të së drejtës së pronësisë të Bashkisë Tiranë që bie në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi. Gjithashtu, pronat e ndodhura në Njësinë Administrative nr. 1 Tiranë janë kaluar në pronësi që 8 vite më parë, përmes VKM nr. 219, datë 21.03.2017, për t’u përdorur për realizimin e veprimtarive social kulturore e sportive dhe për realizimin e programeve arsimore. Kërkojmë informacion pse në këtë zonë nuk janë realizuar programet arsimore, social-kulturore e sportive të përcaktuara më lart.
Prof. Asc. llir Alimehmeti
Kryetar i Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike Bashkia Tiranë
/Gazeta Panorama