EMISIONI VETTING
Pronat në bregdet kanë prodhuar disa nga konfliktet më të ashpra në historinë e shtetit shqiptar dhe duke filluar nga Shkodra në veri e deri në jug në Sarandë, banorët përplasen me njëri-tjetrin, por më shpesh me shtetin.
Një nga pronat që ka ngritur pikëpyetje edhe për procesin e privatizimit sipas denoncimeve të ardhura në redaksinë “Vetting” është hotel-restoranti i familjes Lala, ku bashkëshorti i Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, Taulant Godroli, ka punuar si menaxher i padeklaruar sipas formularit të deklarimit të pasurisë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2025.
Së bashku me Drejtoreshën e Tatimeve, Erilinda Lala ata kanë fshehur pasuri apo të ardhura të lidhura me interesa që sipas indicieve lidhen me ndërtimin e një resortin gjigant në Qerret të Kavajës.
Drejtoresha Lala nuk ka deklaruar NIPT-et dhe emrat e biznesit që ka siguruar rreth 40 mijë euro të ardhura në disa muaj të vitit 2023. Pavarësisht kësaj, kryeinspektorja Evgjeni Bashari dhe Sekretari i Përgjithshëm Arbër Basholli nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për “Vetting” apo se çfarë masash janë marrë në këtë rast.
Problemi tjetër është se Taulant Godroli nuk ka fshehur vetëm çështjen e punësimit, por edhe kompaninë që dikur ka qenë në pronësi të tij, si edhe rolin e tij në kompaninë tjetër ALKO IMPEX CONSTRUCTION (ish KLEDOR ALBANIA-09), e cila është në pronësi të Arbër Abazit.
Në vitin 2009, Taulant Godroli do të themelonte kompaninë “Electral shpk” si aksioner i vetëm dhe disa vite më pas ai do të bëhej administrator i një shoqërie koncesionare, “HEC Hotolisht”, e cila në vitin 2015 do të fitonte kontratën nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë për ndërtim, operim dhe transferim të hidrocentraleve të Hotolishtit me vlerë investimi 567 milionë lekë.
Problemi lidhet me faktin se Taulant Godroli nuk ka deklaruar në formularin e ILDKPKI-së se ka qenë administrator në këtë kompani koncesionare nga viti 2015 deri në vitin 2017.
Madje ai ka fshehur edhe aktin e transferimit të aksioneve të “Electral” shpk, pasi kjo nuk është e deklaruar në formularin fillestar të deklarimit të pasurisë si person i lidhur me Drejtoreshën e Tatimeve, Erilinda Lala.
Sipas avokatit Ramaj, personat që janë subjekt i ligjit për deklarimin e pasurisë në ILDKPKI duhet të deklarojnë të ardhurat apo transaksionet me kompanitë private kur transferojnë aksionet.
“Ky rast është shkelje e ligjit dhe mendoj se ILDKPKI-ja duhet të nisi një inspektim për të kuptuar se cilat janë shkaqjet e mosdeklarimit”, tha avokati Ramaj.
“Vetting” kontaktoi Sekretarin e Përgjithshëm të ILDKPKI-së, Arbër Basholli, për faktet e reja të mosdeklarimit të pasurisë nga Taulant Godroli, por ai refuzoi të bënte koment apo të tregonte se çfarë masash do të merreshin në këtë rast.
Ndërkohë i vetmi fakt që ka dalë zyrtarisht nga korrespondenca e “Vetting” me ILDKPKI-në është se ky institucion ka filluar hetimet për verifikimin e të dhënave të pasurisë ndaj ministrit Petrit Malaj.
Ngelet e paqartë nëse Inspektoriati ia ka referuar rastin Prokurorisë apo ka marrë masa administrative pasi sipas ILDKPKI-së zgjerimi i informacionit në këtë rast lidhet me të dhëna konfidenciale.


