Pas kontestimit nga ana e Partisë Demokratike, ditën e sotme pritet të nisë numërimi i votave të diasporës nga Greqia. Bëhet fjalë për rreth 50 mijë vota që u lanë mënjanë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për shkak të pretendimeve të PD-së.
Ndërkohë, ka përfunduar procesi i numërimit të votave të ardhura nga shtetet e tjera. Ditën e djeshme, Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesë-padine e Partisë Demokratike, e cila kërkonte shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), për lejimin e numërimit të votave nga Greqia.
PD kishte kundërshtuar këtë proces, duke e konsideruar si shkelje të procedurave, pasi sipas saj ishin konstatuar problematika në mënyrën e dorëzimit dhe më pas përcjelljes së votave në Shqipëri.
Pas shqyrtimit, Kolegji Zgjedhor e cilësoi si të pavlefshme kërkesën e PD-së, duke konfirmuar kështu vlefshmërinë e numërimit të votave të diasporës nga Greqia.
Më herët, edhe kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, urdhëroi numërimin e 53 mijë zarfeve, duke theksuar se nga verifikimet nuk janë konstatuar parregullsi në proces dhe në kuti, ndaj është një detyrim ligjor që çdo votë dhe çdo zarf të numërohet e të vlerësohet.
“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vendos vazhdimin dhe përfundimin e numërimit dhe të vlerësimit të çdo dokumentacioni zgjedhor të votuesve nga jashtë, të ardhur në KQZ, si dhe tabelimin e rezultateve përkatëse për subjektet zgjedhore dhe kandidatët në çdo qark. Ky urdhërim përfshin gjithashtu edhe zarfet që nuk janë shqyrtuar dhe janë administruar sipas vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 1121, datë 12.05.2025. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë,” deklaroi Celibashi.