Pas ndërhyrjes në fshatin turistik të Thethit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka zhvendosur aksionin e tij në Parkun Kombëtar të Valbonës, Tropojë, ku prej ditës së djeshme ka nisur shembjen e banesave dhe ndërtimeve të konsideruara pa leje.
Sipas IKMT, të premten u prishën 8 objekte të ngritura me betonarme, ndërsa këtë të shtunë janë planifikuar për t’u shembur edhe 12 struktura të tjera betoni dhe ngrehina.
“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me mbështetjen e Policisë së Shtetit, po vijon aksionin në Parkun Kombëtar të Valbonës, Tropojë, për prishjen e ndërtimeve të paligjshme.
Pas aksionit të djeshëm, ku u prishën 8 objekte të ndërtuara me betonarme, ditën e sotme IKMT ka evidentuar dhe planifikuar prishjen e 12 strukturave prej betoni dhe ngrehinave të ndërtuara pa leje.
Evidentimi dhe goditja e paligjshmërisë do të vijojë pa ndërprerje, duke garantuar mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e zonave të mbrojtura”, thuhet në njoftimin e institucionit.
Pas shembjeve ka reaguar edhe deputeti i PD-së, Isuf Çelaj, i cili akuzoi qeverinë se po godet banorët, ndërkohë që zyrtarët që kanë lejuar ndërtimet paligjshme nuk mbajnë përgjegjësi.
“#Fadromat e IKMT-së rilindase sot kanë shkatërruar disa ndërtesa në fshatin Valbonë duke ua shkatërruar ato që ata i kanë ndërtuar me shumë mundin e djersë!!!
#Ajo që vërehet dhe për këtë qytetarët janë të indinjuar se pse nuk ka asnjë procedim administrativ apo penal për të gjithë ata zyrtar pjesë të strukturave ligjzbatuese që kanë lejuar t’i ndërtojnë ato ndërtesa! Ato ndërtesa nuk janë ndërtuar për një natë e as pa një dakortësi korruptive të atyre që e kanë detyrë zbatimin e ligjit dhe sqarimin e banorëve për procedurat e paisjes me leje ndërtimi!”, u shpreh ai.