Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sërish sanksione ndaj Francesca Albaneses, raportueses speciale të OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze, e cila prej kohësh ka qenë kritike e ashpër ndaj Izraelit për trajtimin e popullit të Gazës dhe Bregut Perëndimor.
Përmes një njoftimi, Departamenti i Thesarit tha se ekspertja italiane ishte rikthyer në një listë të zezë globale që e pengon atë të kryejë transaksione bankare ose të përdorë kartat kryesore të kreditit.
Vendimi erdhi pasi një gjykatë apeli në SHBA të premten e kaluar rrëzoi një vendim të mëparshëm që bllokonte sanksionet, duke lëshuar një pezullim administrativ në pritje të një përcaktimi të meritave të çështjes.
Anulimi lidhej me një vendim të gjyqtarit federal Richard Leon, i cili miratoi një ankesë të paraqitur në shkurt nga bashkëshorti dhe vajza e Albanese, duke shpjeguar se “mbrojtja e lirisë së fjalës është gjithmonë në interes të publikut”.
Francesca Albanese ka qenë në qendër të tensioneve të forta politike ndërkombëtare për muaj të tërë. Në rolin e saj në OKB, ajo e ka akuzuar hapur Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gaza gjatë operacioneve ushtarake pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.
Sanksionet amerikane ndaj saj u njoftuan në korrik të vitit të kaluar nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio. Sipas tij, ajo kishte “përhapur antisemitizëm të hapur, kishte shprehur mbështetje për terrorizmin dhe kishte përbuzur hapur Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Perëndimin”.


