Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga dy vëllezër, 27 dhe 25 vjeç, pas një konflikti ku u përdor armë zjarri për të kanosur një shtetas.
Opracioni për prangosjen e tyre u zhvillua në zonën e quajtur “Kthesa e Kamzës”, ndërsa mësohet se të arrestuarit janë Ledio dhe Ronaldo Matranxhi.
27-vjeçari Ledio Matranxhi akuzohet për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Sipas policise, ai dyshohet se gjatë një konflikti me një shtetas 32-vjeçar, A.R., e kanosi me armë zjarri.
Në pranga përfundoi edhe vëllai i tij, 25-vjeçari Ronaldo Matranxhi për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka fshehur armën e zjarrit që u përdor në ngjarje menjëherë pas konfliktit.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit, Policia sekuestroi armën e zjarrit, municion luftarak dhe automjetin e përdorur në ngjarje, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në hetim.
Njoftimi:
Reagimi i menjëhershëm i Policisë vë në pranga një 27-vjeçar, i cili qarkullonte me armë zjarri dhe kanosi një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Në pranga edhe vëllai i tij, i cili fshehu armën e zjarrit menjëherë pas ngjarjes.
Sekuestrohen arma e zjarrit, me fishek në fole, gati për qitje, municion luftarak dhe një automjet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin Nr. 7, pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Kthesa e Kamzës” një shtetas kishte kanosur me armë zjarri një 32-vjeçar, gjatë një konflikti mes tyre, organizuan punën dhe ndërhynë me shpejtësi për kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- L. M., 27 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri shtetasin A. R., 32 vjeç.
- R. M., 25 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka fshehur armën e zjarrit të përdorur nga vëllai i tij, menjëherë pas ngjarjes.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 27-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën armën e zjarrit të përdorur në ngjarje, një sasi municioni luftarak dhe automjetin, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.