Avokati Ulian Barjami u lirua nga qelia pasditen e djeshme, pas tre ditësh ndalim me urdhër të Oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Arrestimi i tij erdhi pas një kallëzimi të bërë nga prokurori Gjergji Ceka, i cili pretendoi se ishte kërcënuar nga avokati gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit.
Ndërkohë, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka nisur verifikimet me iniciativë për këtë çështje, për të shqyrtuar ligjshmërinë e veprimeve procedurale që çuan në ndalimin e Barjamit. Sot, inspektorë të ILD-së kanë mbërritur në Elbasan për të administruar dokumentacionin dhe për të analizuar rrethanat e ndalimit.
Gjykata e Elbasanit vendosi dje lirimin e menjëhershëm të avokatit, duke argumentuar se nuk kishte asnjë arsye ligjore për mbajtjen e tij në izolim. Vendimi ka ngritur pikëpyetje dhe debat në radhët e juristëve dhe opinionit publik për mënyrën e trajtimit të rasteve të tilla.
Ndërkohë Prokuroria e Elbasanit ka shpallur moskompetencën dhe ka dërguar në Tiranë çështjen për avokatin Ulian Barjami. Pretendim është bërë konflikti i interesit, pasi padia kundër Barjamit është ngritur nga prokurori Gjergji Ceka, i cili ushtron funksionin e tij pranë kësaj prokurorie.