Pas valës së dorëheqjeve në Bashkinë e Elbasanit, efekti i ultimatumit të dhënë nga Kryeministri Edi Rama ka mbërritur edhe në juglindje të vendit.
Gjashtë kryetarë të njësive administrative në Bashkinë e Korçës kanë paraqitur dorëheqjen, duke e dorëzuar zyrtarisht atë pranë kryebashkiakut Sotiraq Filo. Burime nga bashkia bëjnë me dije se ata do të qëndrojnë në detyrë vetëm deri në emërimin e pasardhësve.
Ndryshe nga Elbasani, në rastin e Korçës, dy nënkryetarët e bashkisë nuk kanë dhënë dorëheqje, ndërsa mësohet se nuk u është kërkuar ende një hap i tillë.
Edhe në Bashkinë e Kolonjës janë shënuar zhvillime të ngjashme, ku tre kryetarë njësish administrative kanë vendosur të largohen nga detyra.
Sipas burimeve, pritet që vala e dorëheqjeve të shtrihet edhe në bashkitë e tjera të qarkut Korçë, përfshirë Maliqin, Devollin dhe Pogradecin, ku paralajmërohen zhvillime të ngjashme në ditët në vijim, si pjesë e procesit të “rilindjes institucionale” të paralajmëruar nga kryeministri për të pastruar administratën nga paaftësia dhe klientelizmi.