Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, po udhëton drejt Uashingtonit për një vizitë me peshë të lartë politike, ku pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump. Kjo do të jetë takimi i parë ballë për ballë mes dy liderëve, pas muajsh tensionesh në rritje dhe deklaratash të ashpra publike.
Në axhendën e takimit në Shtëpinë e Bardhë, që do të zhvillohet të martën, pritet të dominojnë çështje të ndjeshme si situata në Venezuelë, trafiku i drogës, nafta, siguria rajonale dhe sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge.
Edhe pse dy presidentët patën një bisedë telefonike relativisht korrekte pas operacionit ushtarak amerikan të 3 janarit për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, Petro ka deklaruar më pas se beson se ekziston një “kërcënim real” për ndërhyrje ushtarake kundër Kolumbisë.
Nga ana e tij, Donald Trump ka deklaruar më herët se një operacion ushtarak në Kolumbi “tingëllon si një ide e mirë”.
Takimi i së martës vjen pas disa muajsh përplasjesh verbale mes dy liderëve. Petro ka kritikuar vazhdimisht sulmet e përsëritura amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor, si edhe politikat e Shtëpisë së Bardhë për emigracionin.


