Lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve private në pikën kufitare të Qafë Botës vijon pa pengesa, por kalimi i mjeteve me ngarkesa tregtare është pezulluar përkohësisht për shkak të një situate të krijuar në doganën greke të Mavromatit.
Bllokimi vjen pas një operacioni të gjerë të autoriteteve greke që ka çuar në arrestimin e 13 punonjësve të doganës, përfshirë edhe drejtuesin e saj. Sipas mediave greke, të arrestuarit dyshohen për përfshirje në një skemë korrupsioni dhe kontrabande, ku akuzohen për marrje ryshfeti dhe shpërdorim detyre.
Hetimet, të cilat kanë qenë në zhvillim prej muajsh, janë mbështetur në përgjime telefonike që kanë zbuluar komunikime të dyshuara mes punonjësve të doganës dhe personave që kërkonin të kalonin mallra kontrabandë. Sipas raportimeve, në këmbim të pagesave të paligjshme, mjetet e ngarkuara lejoheshin të kalonin kufirin pa iu nënshtruar kontrolleve zyrtare.
Si pasojë, është krijuar një bllokim i përkohshëm në qarkullimin e mallrave mes Shqipërisë dhe Greqisë në këtë pikë kufitare. Autoritetet greke pritet të marrin masa për të rikthyer funksionimin normal të doganës dhe për të garantuar zbatimin e ligjit në procesin e kontrollit kufitar.