Naim Murseli, i dyshuari kryesor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, është dërguar sot për ekzaminim psikiatrik në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas mediave vendore, Murseli u paraqit në klinikë i prangosur, me duar dhe këmbë të lidhura. Ai iu nënshtrua një ekzaminimi psikiatrik dhe trajtimi me CT, pas së cilës u largua nga ambientet e QKUK-së.
Dërgimi për ekzaminim u vendos pas kërkesës së bërë nga avokatja e tij, Teuta Zhinopotoku, gjatë seancës gjyqësore të 4 qershorit, kërkesë e cila u miratua nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Në të njëjtën seancë, prokurorja Javorka Perlinçeviç bëri të ditur se Murseli kishte urdhëruar vrasjen për të përfituar 260 mijë euro nga sigurimi jetësor i bashkëshortes në Suedi. Si provë, Prokuroria prezantoi raportin zyrtar të një institucioni suedez, që konfirmon ekzistencën e një sigurimi jetësor prej 3 milionë krona suedeze (rreth 260 mijë euro) në emër të viktimës, të lidhur në vitin 2022.
Më 15 janar 2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre personave të tjerë: Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj. Sipas aktakuzës, Murseli kishte rënë dakord me Plavën dhe Kokallën që vrasja të kryhej nga Plava, i cili do të shpërblehej me shumën prej 30 mijë euro.
Prokuroria thekson se motivet e krimit lidhen me përkeqësimin e raporteve familjare dhe martesore, si dhe dëshirën e Murselit për hakmarrje ndaj bashkëshortes së tij. Procesi gjyqësor ndaj të pandehurve vijon në Gjykatën Themelore të Prishtinës.