Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin Dritan Hoxha, i akuzuar për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, Dritan Hoxha në bashkëpunim me shtetasin Besim Besimaj janë përgjegjës për vrasjen e shtetasit Andon Veshaj, ngjarje kjo që ndodhi më 17 maj 2010 në krahinën e Larisës në Greqi.
Hetimet nisën në vitin 2017, pas kallëzimit të bërë nga xhaxhai i viktimës, i cili deklaroi se nipi i tij u gjet i rrahur për vdekje brenda makinës së tij.
Prokuroria njofton se nga hetimet rezultoi se Dritan Hoxha dhe viktima njiheshin mes tyre dhe natën e ngjarjes ishin në të njëjtin bar, ku konsumuan alkool. Të dy janë larguar në të njëjtën kohë, ndërsa tabulatet telefonike treguan se Hoxha ka komunikuar me bashkëpunëtorin tjetër, Besim Besimaj.
Të dy shtetasit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës, duke e goditur në këmbë, duar dhe pjesë të tjera të trupit. Si pasojë e dhunës së ushtruar, viktima humbi jetën. Më pas, ata e vendosën viktimën në makinën e tij dhe e larguan nga vendi i ngjarjes.
Në momentin e ngjarjes, viktima kishte me vete tre çeqe me vlerë 150 mijë euro. Ai ndërroi jetë për shkak të goditjeve të rënda në kokë.
Prokuroria thekson se është provuar se Dritan Hoxha dhe Besim Besimaj kanë kryer veprën penale të “Vrasjes me paramendim” në dëm të Andon Veshajt.