Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër lidhur me situatën e përmbytjeve në vend, duke akuzuar qeverinë për keq menaxhimin gjendjes në të cilën ndodhen qindra banorë në qytetet e vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku thekson se shqiptarët çdo vit përballen me të njëjtat probleme, zjarre në verë dhe përmbytje në dimër dhe sipas saj, fajtor nuk është vetëm moti, por politika e qeverisë.
“Por natyra nuk mund të jetë më alibi, kur qeveria ka buxhetuar më pak se 1% të buxhetit për kanalizime dhe ujitje, dhe kur fondi për Emergjencat Civile është më i vogël se sa tri kontrata inceneratorësh. Një shtet i përgjegjshëm nuk është ai që shfaqet pasi bie zjarri apo vërshon uji për të bërë “adetin”, shkruan ajo.
Deputetja gjithashtu citon të dhënat e Emergjencave Civile, sipas të cilave dëmet ekonomike nga fatkeqësitë arrijnë vlerën e 2 miliardë dollarëve, ndërkohë që qeveria në katër vite ka dhënë vetëm 140 milionë euro për emergjenca.
“Paratë nuk shkojnë për kanale e kolektorë, por për fantazma luksi që nuk i interesojnë askujt përveç cirkut qeveritar”, thekson ajo.
Reagimi i Jorida Tabakut:
Natyra si alibi e palezetshme
Shqiptarët, çdo vit, në verë dhe në dimër, dëgjojnë të njëjtën kasetë: “natyra e pabesë”. Shqipëria ose shkrumbohet, ose përmbytet.
Por natyra nuk mund të jetë më alibi, kur qeveria ka buxhetuar më pak se 1% të buxhetit për kanalizime dhe ujitje, dhe kur fondi për Emergjencat Civile është më i vogël se sa tri kontrata inceneratorësh.
Një shtet i përgjegjshëm nuk është ai që shfaqet pasi bie zjarri apo vërshon uji për të bërë “adetin”. Kur lexon deklaratat “bujare” të qeverisë pas fatkeqësisë, përballë dorështrëngimit kriminal për të parandaluar, kupton thelbin e këtij sistemi: nuk është ngritur për qytetarët, por për klientët.
Sipas vetë të dhënave të Emergjencave Civile, dëmet ekonomike nga fatkeqësitë kapin vlerën e 2 miliardë dollarëve. Ndërkohë, qeveria në katër vite ka dhënë vetëm 140 milionë euro për emergjenca. Paratë nuk shkojnë për kanale e kolektorë, por për fantazma luksi që nuk i interesojnë askujt përveç cirkut qeveritar.
Skenat me qeveritarë që zbresin në terren me çizme llastiku pasi gjithçka është shkatërruar, nuk janë arritje. Janë dëshmi dështimi. Nuk është sukses të shkosh aty ku nuk mban më uji.
Është tragjikomike: një qeveri që premton Inteligjencë Artificiale për prokurimet, që përdor “Diellën” për propagandë digjitale, kapet gjithmonë e papërgatitur nga një shi që çdo qytetar e sheh në telefonin e tij. Silleni fiks si një student ngelës që sajon barcaleta për të fshehur paaftësinë.
Sot janë mijëra hektarë tokë, prona dhe jetë të shkatërruara. Nesër do të jenë sërish. Sepse ky sistem punon për pakicën, dhe faturën e paguan shumica: me xhepin, pronën dhe të ardhmen e saj.


