Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, është paraqitur paraditen e sotme (23 qershor) në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Kjo shënon herën e dytë që ajo thirret nga SPAK, ndërsa arsyeja e saktë e paraqitjes nuk është bërë ende e ditur zyrtarisht.
Bufi është kallëzuar nga opozita për disa vepra penale, mes të cilave: “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Sipas kallëzimeve, kryebashkiakia akuzohet se gjatë fushatës për zgjedhjet vendore ka ushtruar presion dhe shantazh ndaj punonjësve të administratës publike për t’i penguar të votojnë lirisht.
Partia Demokratike në Roskovec ka depozituar edhe një kallëzim penal ndaj saj për abuzim me tenderat, përfshirë një tender të dyshuar për karikimin e makinave elektrike me vlerë miliona euro, si dhe për një projekt për ndërtimin e një termocentrali në një zonë bujqësore.
Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka qenë ndër zërat më kritikë, duke bërë thirrje të përsëritura ndaj SPAK për hetime të thelluara lidhur me veprimtarinë e Bufit.