Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar sërish lidhur me paralajmërimin që kishte publikuar ditën e djeshme, në të cilin njoftohej se grupe të lidhura me Iranin mund të sulmonin objektiva të caktuara në Shqipëri.
Në reagimin për emisionin “Kjo Javë” në News24, një zyrtar i ambasadës shprehet se administrata Trump nuk ka përparësi më të lartë se siguria dhe mbrojtja e amerikanëve.
Ai theksoi se ambasada po bashkëpunon ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë.
REAGIMI I AMBASADËS AMERIKANE PËR “KJO JAVË”
“Administrata Trump nuk ka përparësi më të lartë se siguria dhe mbrojtja e amerikanëve. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara vlerëson bashkëpunimin e saj të ngushtë në çështjet e sigurisë me Qeverinë e Shqipërisë, e cila ka shfaqur një angazhim të vazhdueshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të gjithë banorëve të Shqipërisë. Ne do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm.”
Mesazhi i Ambasadës amerikane në Tiranë për sulme të mundshme të grupeve të lidhura me regjimin e Teheranit:
Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar.


