Papa Leoni XIV ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturinë e tij Joanin, për praninë në Liturgjinë solemne të mbajtur në Vatikan më 18 maj, në kuadër të fronëzimit të Papës në krye të Kishës Katolike.
Në një letër zyrtare të datës 17 qershor 2025, Papa e cilëson pjesëmarrjen e Kryepeshkopit Joan dhe delegacionit shqiptar si një shenjë të qartë të vëllazërisë së krishterë dhe unitetit të besimit. Ai i referohet Kryepeshkopit si “bashkëshërbëtor në vreshtin e Zotit”, duke i kërkuar mbështetje shpirtërore përmes lutjeve.
“Ju kërkoj me dashamirësi të më mbështesni përmes lutjeve tuaja, që Perëndia i Plotfuqishëm të më forcojë t’i shërbej Atij dhe popullit të Tij të shenjtë,” – shkruan Papa Leoni.
Duke cituar shkrime biblike, Papa thekson rëndësinë e përkushtimit të përbashkët për unitet dhe pajtim ndërmjet të gjithë të krishterëve, sidomos në një botë të përçarë dhe të trazuar.
Letra mbyllet me një përqafim vëllazëror dhe një mesazh paqeje:
“Ju përqafoj ngrohtësisht me gëzimin dhe paqen e Krishtit, Shpëtimtarit tonë.”
Letër e Papës Leon XIV drejtuar Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit:
Fortlumturisë së tij, Joanit,
Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë
Këto ditë, pas përurimit të shërbesës sime si Peshkop i Romës dhe Pasardhës i Pjetrit, po ju shkruaj për t’ju shprehur mirënjohjen e thellë për afërsinë tuaj vëllazërore dhe për dashurinë që treguat kur morët pjesë, bashkë me delegacionin tuaj të nderuar, në Liturgjinë solemne në Vatikan, të dielën, më 18 maj. Pjesëmarrja juaj më preku thellë, sepse është shenjë treguese e vëllazërisë së krishterë dhe e unitetit të besimit.
Si një bashkëshërbëtor në vreshtin e Zotit, ju kërkoj me dashamirësi të vazhdoni të më mbështesni përmes lutjeve tuaja, që Perëndia i Plotfuqishëm të më forcojë t’i shërbej atij dhe popullit të tij të shenjtë. Ndërsa dëgjojmë së bashku se çfarë i thotë Shpirti i Shenjtë kishave (Zbulesa 2:7), le ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për të nxitur unitetin ndërmjet të gjithë të krishterëve, duke iu bindur vullnetit të Zotit Jisu ( Jn. 17:21), dhe të punojmë së bashku në mënyrë më të frytshme për pajtim dhe harmoni në botën tonë të përçarë.
Me këto ndjenja, vëlla i dashur, ju përqafoj ngrohtësisht me gëzimin dhe paqen e Krishtit, Shpëtimtarit tonë.
Vatikan, 17 qershor 2025