I nisur nga Tokio drejt Teksasit, një fluturim i kompanisë japoneze All Nippon Airways (ANA) është detyruar të bëjë një ulje emergjente në Seattle, pasi një pasagjer tentoi të hapte një nga dyert e emergjencës në mes të fluturimit.
Ngjarja ndodhi kur fluturimi ANA 114 devijoi kursin vetëm disa orë pas nisjes për shkak të, siç u përshkrua nga kompania, “sjelljes së padisiplinuar të një pasagjeri”.
Sipas autoriteteve lokale, burri, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ndodhej në një gjendje krize mjekësore dhe u ndalua menjëherë nga pasagjerët dhe ekuipazhi.
Pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar Seattle-Tacoma, ai u transportua në spital. Nuk dihet ende nëse do të ngrihen akuza ndaj tij. Ndërkohë, një pasagjer i dytë u përjashtua nga fluturimi për sjellje të papërshtatshme, shkruan BBC.
Avioni arriti në destinacionin final, Houston, me rreth katër orë vonesë. ANA ka vlerësuar reagimin e shpejtë të ekuipazhit dhe autoriteteve amerikane, duke theksuar se siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor i kompanisë.