Aksioni i IKMT për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Thethit ka hyrë sot në një tjetër fazë, duke shkaktuar reagime të forta nga komuniteti lokal.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë ndërhyrjen e IKMT-së në prishjen e një ndërtese dykatëshe e ngritur pa leje. Ndërhyrja është kryer pasditen e sotme, si pjesë e aksionit të qeverisë për pastrimin e zonave të mbrojtura nga ndërtimet informale.
Por situata nuk ka kaluar pa tension. Paraditen e sotme, banorët e Thethit dolën në protestë dhe bllokuan urën hyrëse të fshatit, për të penguar forcat e policisë dhe IKMT që të vijonin aksionin. Ata pretendojnë se ndërtimet janë të përkohshme, kryesisht struktura prej druri në tokat e tyre dhe se janë në proces aplikimi për legalizim, por nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet.
“Janë shtëpia druri, pa beton, pa asgjë, thjesht druri në tokën time”, u shpreh një prej banorëve me aftësi të kufizuara, mes lotësh.
“Kemi aplikuar për leje por nuk na e japin. Kërkojmë nga shteti që të mos na i prishë, ngelim në rrugë të madhe”, tha një tjetër protestues.