Një aksident masiv është regjistruar mesditën e sotme në autostradën Fier–Lushnjë, pranë zonës së njohur si “Pushimi i Shoferit”.
Në aksident janë përfshirë disa automjete, përfshirë edhe një autobot që transportonte çimento, i cili është kthyer përmbys jashtë rruge. Nga përplasja janë raportuar dy persona të plagosur, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Lushnjës.
Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Pamjet nga vendngjarja tregojnë mjete të dëmtuara rëndë dhe rrugë të bllokuar.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për menaxhimin e trafikut, i cili është devijuar përmes një rruge dytësore.