Një granatë dore e pashpërthyer është gjetur pasditen e sotme në taracën e një ndërtese që shërben si shtëpi funerali në fshatin Kameras, pranë aksit Fushë-Krujë – Krujë.
Granata është zbuluar nga pronari i godinës, Arber Sala, i cili kishte hipur në çati për të vendosur disa shkronja reklamuese, kur ka vënë re objektin e dyshimtë. Menjëherë pas zbulimit, ai ka njoftuar policinë
Forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e forcave xheniere të RENEA-s, të cilët aktualisht po merren me çmontimin dhe neutralizimin e granatës.
Arber Sala, sipas burimeve lokale, nuk njihet si person problematik në zonë. Prej vitesh operon në fushën e shërbimeve funerale, ndërsa disa kohë më parë ka qenë viktimë e një zjarrvënie, ku iu dogj një magazinë e vjetër. Ndërtesa ku u gjet granata është një objekt i ri ndërtuar së fundmi.
Policia ka nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e vendosjes së granatës dhe nëse kemi të bëjmë me ndonjë akt të qëllimshëm.