NASA publikoi fotografitë e para të marra nga astronautët e misionit Artemis II nga kapsula Orion, ndërsa misioni drejtohet drejt Hënës, duke ofruar pamje unike të Tokës nga hapësira.
Fotografitë u realizuan nga komandanti i misionit, Reid Wiseman, me përdorimin e një tableti dhe shfaqin dy perspektiva të ndryshme të planetit tonë.
Fotografia e parë u përshkrua nga Qendra e Kontrollit të NASA-s në Johnson Space Center si “një kujtesë se, sa larg edhe të shkojmë, mbetemi një botë që vëzhgon, shpreson dhe synon të arrijë më lart.” Fotografia e dytë tregon Tokën si një “pikë blu”, ashtu si e shoh ekipi gjatë udhëtimit.
Fotografitë lidhen me deklaratat e anëtares së ekuipazhit, Christina Koch, e cila foli për mediat në ditën e dytë të fluturimit, duke theksuar përvojën e jashtëzakonshme të të parëit të Tokës nga hapësira.
“Duke parë pamje të pabesueshme të Tokës dhe duke e parë tërë planetin përmes një dritareje, duke ditur se do të kemi një pamje të ngjashme të Hënës, kjo më bën edhe më entuziaste,” tha ajo, duke shtuar se asgjë nuk mund ta përgatisë dikë për përvojën e mahnitshme të të parit Tokën të ndriçuar nga dielli dhe nga drita e Hënës gjatë natës, në kombinim me ngjyrat e perëndimit të diellit.
Nga ana e tij, Wiseman përshkroi një moment të veçantë kur Qendra e Kontrollit në Houston ndryshoi orientimin e Orionit gjatë perëndimit të diellit pas Tokës.
“Ne mund të shihnim tërë planetin nga një pol te tjetri. Ishin të dukshme Afrika dhe Europa, dhe kush e shihte me kujdes mund të dallonte edhe aurorën veriore. Ishte momenti më impresionues dhe na mahniti të gjithëve,” tha ai.
Astronautët kaluan pjesën më të madhe të kohës duke bërë fotografi, madje edhe gjatë kohës së parashikuar për vakti të përbashkët të parë të misionit në hapësirë, i cili u vonua për të vazhduar vëzhgimin e Tokës.
“Aktualisht kemi një pamje të jashtëzakonshme të anës së errët të Tokës, e ndriçuar nga Hëna. Është diçka unike. Asnjë nga ne nuk mund të shkojë për të ngrënë, sepse të gjithë jemi të ngjitur pranë dritares duke bërë fotografi,” tha astronauti i Canadian Space Agency dhe specialisti i misionit, Jeremy Hansen.



